Adrola dhe Kristina

Nga fotografi Fani Aliko, në formatin bardhezi, një nga fotografitë ikonë të modelimit shqiptar, ku bashkë pozojnë ambasadoret e bukurisë shqiptare, Adrola Dushi dhe Kristina Bakiu.

 

Në këtë fotografi të punuar mjeshtërisht, në mars të vitit 2016, nga Fani Aliko, shpërfaqen dy cilësi shumë dinamike të Adrolës dhe Kristinës. Adrola, përkundër bukurisë fizike, komunikon veç me hijeshinë e shpirtit, ndërkaq Kristina, me fytyrën si të skalitur në gur, edhe korridoret gri të qenies së saj i vesh me shkëlqim. Te kjo foto përçohet pothuajse e gjithë energjia e fiksimit të ëmbël që ne kemi pasur për Adrolën dhe Kristinën dhe po ashtu edhe arsyeja pse sot vazhdojmë t’i ndiejmë si ambasadore të bukurisë shqiptare.

Fani Aliko është një fotograf i ri, që në punën e tij suksesshëm ngjiz urbanen dhe klasiken, një tip rebeli i butë që vazhdimisht pasuron saktësinë e tij ndaj detajit, i fiksuar pas gjërave të bukura dhe që nuk ngurron të eksperimentojë, edhe atëherë kur kjo nuk i sjell ndonjë leverdi.