Afrodita e Jona Çuçit

Si ta veshësh dikë, duke e zhveshur atë? Kjo është pyetja kreative që shumë disenjatorë, përfshirë edhe emra shumë të njohur të botës së modës, nuk dinë si t’i gjejnë përgjigje të duhur. Në kërkim të vëmendjes mediatike, jo pak prej tyre, dështojnë duke nxjerrë produkte shabllon apo thjesht vulgare, por ky nuk është rasti me Jona Çuçin.

Krijimi i saj që prezantojmë këtu, i quajtur Afrodita, përbën një miks të kujdesshëm të frymës antike (erotizmi i kujdeshëm i kudogjendur në artin e Greqisë së vjetër) dhe nuancave bashkëkohore që mund të hasen në të ashtuquajturën naked dress. Si detaje, dielli dhe hëna  (të punuara me dorë dhe të vendosura si Ying Yang mbi gjinj, duke gravituar përreth majës së thithave) shërbejnë për të përforcuar idenë që Afrodita, në këtë rast simbolizmi i ideales që synon një femër, përbën atë tip femre që përmbledh harmoninë, çiftëzimin e të kundërtave që në realitet plotësojnë njëra tjetrën: perëndeshë e afshit, por edhe e të gjitha stuhive të shpirtit.

Ky krijim i veçantë i Jonës prezantohet me fotot e punuara nga Ergys Zhabjaku, modele Dania Bazaiti (pjesë e Women Managment në Milano ku aktualisht jeton dhe punon), ndërkaq për flokët dhe grimin është kujdesur Elona (@makeupbyelona).    

E ashtuquajtura naked dress është bërë pjesë e jetës së yjeve që nga koha e Merilin Monros, por në këto dhjetë vitet e fundit sikur ka një shpërthim të këtij stili. Yje, që gati sa nuk zhvishen, veshur me fustane transparente dhe minimaliste të punuara nga disenjatorë më pak të njohur, por edhe nga emra gjigand si Dior dhe Versace, defilojnë pothuajse në çdo ngjarje të rëndësishme të filmit dhe artit. Disa nga këto fustane vërtet janë mbresëlënëse, por ka edhe të atilla që thjesht tejkalojnë çdo masë të asaj që do të duhej të ishte e pranueshme.

Si në çdo tip tjetër të veshjeve, nuk mjafton vetëm zelli për provokim, por duhet pasur edhe ndjenjën e masës. Edhe në këtë tip fustani, një disenjator i mirë niset nga parimi që, sado i zhveshur që mund të jetë, produkti final përsëri duhet të filtrohet në kategorinë e të qenit “veshje”.

Jona Çuçi është një disenjatore nga Tirana që shtytjen e saj për të provokuar dhe eksperimentuar e mban brenda kornizave të një fryme klasike, gjithnjë në kërkim të gjetjeve që janë brenda estetikës së artit. Së fundmi ajo e ka sprovuar veten në tipin delikat të naked dress, mbase e para në botën shqiptare të modës, dhe kemi përshtypjen është treguar mjaftueshëm e kujdesshme që zhveshja megjithatë të duket si veshje.