Arti i baletit në funksion të kujtesës

 

Të kërkosh drejtësi, nuk do të thotë vetëm të identifikosh, të ndjekësh dhe t’i dënosh fajtorët, por mbi të gjitha do të thotë njohje e dhimbjes dhe e humbjes së përjetuar. Një mënyrë, çfarëdo, diçka, që viktimave do t’ua krijonte ndjesinë se nuk janë të harruar dhe se përjetimet e tyre megjithatë kanë  një kuptim. Për çdo shoqëri që ka kaluar nëpër një përvojë traumatike, drejtësia tranzicionale, si kuptim, është i një rëndësie të veçantë, sepse viktimave ua njeh të drejtën e tyre për dinjitet, si qytetarë dhe si qenie njerëzore. Në çdo përpjekje për drejtësi, duhet të ketë një çast kur duhet lënë anash politikën dhe gjërat që lidhen në mënyrë që tërë vëmendja të përqendrohet te viktimat. Ndër të tjera, kjo është e domosdoshme edhe për të dëshmuar se siguria e njerëzve, të gjithë njerëzve, qoftë nga agresorë të huaj apo nga regjime brutale, është gjëja më e rëndësishme dhe se, në çfarëdo konflikti apo përplasje, njerëzit e pafajshëm duhen kursyer nga dhuna dhe vuajtja.

Duke ndjekur hapat e shumë shtëpive prestigjioze të botës, Baleti Kombëtar i Kosovës, së fundmi, ka realizuar shfaqjen “Drejtësia tranzicionale”, ku, në një linjë të veçantë dramaturgjike, ndërthuren përvojat nga disa vende të botës, përfshirë vende nga Afrika dhe Amerika e Jugut, me mesazhin themelor se, pavarësisht dallimeve dhe veçantive kulturore, dhimbja njerëzore e të gjitha viktimave është e njëjtë, për të gjithë. Dhe të gjitha viktimat, pavarësisht kush janë dhe prej nga janë, kërkojnë të njëjtën gjë: drejtësi!

Me këtë shfaqje, për herë të parë për publikun tonë, si koreografe, prezantohet Christie Coleman nga Nju Jorku, koreografe e kërcimit modern që ka realizuar shfaqje në disa vende të botës dhe që në këtë projekt solli përvojë dhe koncepte të reja. Kam ndjekur disa shfaqje të trupës së baletit të Kosovës, por shfaqja e Christie është ndryshe, ngaqë ajo ka gjetur një mënyrë që të ringacmojë nga fillimi entuziazmin e të gjithë pjesëtarëve të trupës së baletit. Koncepti i shfaqjes diktonte nevojën për një përgatitje superiore fizike, si për meshkujt ashtu edhe për femrat, meqënëse linja dramaturgjike qëndron pothuajse tërë kohën në tehun e hollë të ankthit të pasigurisë, që rëndom ndiejnë viktimat përballë dhunuesve. Kjo përgatitje fizike, që nuk mungoi për asnjë çast dhe që u demonstrua suksesshëm në skenë nga e gjithë trupa, ishte e nevojshme edhe për ta bërë më të natyrshëm e më të pranueshëm, për publikun tonë, koloritin ndryshe të muzikës, lojës, kërcimit dhe përvojave të veçanta nga vendet e largëta për ne.

“Drejtësia tranzicionale” nuk është e veçantë vetëm për shkak se është një shfaqje kryekëput bashkëkohore, por është e veçantë si pasojë e energjisë jetësore që gjithë trupa vazhdimisht e transformon në skenë. Është një tip perpetum mobile artistike, ku e gjithë energjia e jetës – e manifestuar nëpërmjet dhimbjes, hidhërimit, urrejtjes pa shkak, vrullit e pasionit për drejtësi, zhgënjimit kur kjo drejtësi mungon, fuqisë për të falur dhe vullnetit për një jetë të re – e tëra derdhet në skenë dhe në tërësi përçohet te publiku. Christie Coleman ia ka dalë që trupën e baletit të Kosovës ta sinkronizojë në atë mënyrë që rrëfimi i tyre në skenë të depërtojë suksesshëm edhe te ne, si publik, ndërkaq neve, pjesëtarëve të brezit që mban mend luftën dhe peripecitë e së shkuarës, na krijoi një ndjesi shumë personale, një rikujtim të nevojës që drejtësia të vihet në vend, si mënyra e vetme që, si shoqëri, të mund të ecim përpara.

“Drejtësia tranzicionale” nga Baleti Kombëtar i Kosovës demonstroi rolin e pakontestueshëm dhe funksionin unik që ka arti, në aftësinë e vet për të depërtuar aty ku mekanizmat e tjerë e kanë të pamundur, për t’i vetëdijesuar të gjithë për nevojën për të falur dhe nevojën për të mos harruar. Një shfaqje superiore, që në asnjë mënyrë nuk duhet të mbyllet vetëm në skenën e Prishtinës, por që duhet të udhëtojë në të gjitha skenat e rajonit, por edhe më gjerë. Një shfaqje që mund të shërbejë si dëshmi e gjallë se kulturalisht jemi pjesë e botës që ushqen dhe kultivon vlera humane.

Bravo!