Arti i portretit

Ka një arsye të fuqishme pse shumë fotografë i tremben portretit. Dallimi në mes të një fotografie që tregon veç një kokë njeriu dhe një vepre kreative, që në mënyrë deri dramatike mund të shprehë një emocion apo koncept jetësor, është krejtësisht i vogël dhe fshihet në detaje që syri i rëndomtë nuk mund t’i kapë.

Të fotografosh një portret kërkon shumë më tepër se shkathtësi për të operuar me dritat, kërkon një alkimi të veçantë me subjektin. Pos precizitetit teknik, fotografi duhet ta zbulojë, qoftë edhe ta krijojë nga hiçi, kiminë në mes të fokusit të aparatit të tij dhe subjektit.

Në kërkim të imazheve të freskëta, Soni K. Elson ka realizuar një portret që mbase mund të vlerësohet edhe si ikonë në vete. Në aspektin teknik, një punë e pastër, ndërkaq nga ana përmbajtësore përbën një shembull të fotografisë me shumë botë. Në këtë portret emblematik, Eristigena mund të na duket si një gocë nga jashtë shtetit, nga ato të suksesshmet në jetë, por në sytë e dhe buzëqeshjen e saj ka diçka që na përket të gjithë neve. Dhe kjo është alkimia që Soni ka ditur ta krijojë.

Eristigena Lazeraj është veçse një vajzë nga ato që mund të hasen në të gjitha rrugët e Shqipërisë, por në fokusin e aparatit të Sonit ajo kthehet në një imazh që ndërthur të gjitha ëndrrat dhe zhgënjimet, por mbi të gjitha besimin në diçka të paemër që çuditërisht vazhdon t’i frymëzojë shqiptarët: Eristigena është e bukur në qetësinë e saj!