Backstage art – Endi Cini në fokusin e Geljant Kalecit

Është 12 Maji dhe jemi në sfilatën ekskluzive të grupit CLASS Alketa Vejsiu në hotel Plazza. Endi Cini është një nga shumë modelet pjesëmarrëse që është duke u përpëlitur me stresin e pjesëmarrjes në një event kaq të madh. Geljant Kaleci, fotografi i shumë kopertina revistash të botuara ndër vite, është duke kaluar në backstage, por, në mesin e gjithë atyre vajzave të bukura, syrit të Gelit nuk i shpëton veçantia e Endit, si imazh i një bukurie krudo që projekton gjendje përtej moshës që ka.

Në fokusin e Gelit aty për aty organizohet një situatë e pamenduar më herët, një pozim pa plan, një shkrepje çasti me shumë pak përgatitje, por e tëra e bërë me saktësinë e pasionit për të kapur diçka nga ajo që një modele ndien përbrenda para një shfaqjeje mode.

Kjo është historia prapa kësaj shkrepjeje. Geli ka kapur pikërisht përmbylljen e stuhisë së stresit që përjeton një modele: qetësinë e akullit të butë që shpërfaqet në çastin kur ajo del në pistë. Si kompozicion dhe si realizim, kjo fotografi përbën një shembull pothuajse didaktik të fuqisë së një çasti të vetëm, finesave dhe detajeve interesante që mund të shtjellohen atëherë kur fashion shkrihet me candid art photography.

©Dada.al – Ndalohet reproduktimi apo shpërndarja e fotografive pa pëlqim paraprak nga autori.