“Besë”, shtëpia shqiptare e modës në NY

Të përjetshme, të lehta, sensuale dhe mbi të gjitha shumë cool! Ky është përshkrimi ynë për mënyrën si, në dizajnet e veta, Besë Studio i qaset formave dhe prerjeve femërore. Kjo vlen sidomos për veshjet që në vete kanë diçka nga fryma romantike, sidomos fustanet që me shumë shije kanë detaje, forma e prerje që miklojnë sensualitetin e një femre.

Veshur me dizajnet e Besë Studio, një femër, qoftë grua apo një vajzë e rritur, nxjerr në pah tërë sharmin e vet flirtues, por të mbështjellë e të mprehur me të gjithë elegancën që një femër mund të shpërfaqë. Definitivisht diçka me shumë stil.

 

Besë Studio është një brend veshjesh me bazë në Nju Jork dhe në Prishtinë, themeluar nga Besë Neziri Rugova, që eksploron një stil unik veshjesh, duke miksuar të vjetrën dhe të renë, frymën vintage me nuanca të së sotshmes metropolitane, por edhe vija dhe detaje nga veshjet tradicionale shqiptare që natyrshëm inkorporohen në dizajnet bashkëkohore që promovohen nga kjo shtëpi e modës.

Besë Studio ka bashkëpunuar me fotografë të njohur, si Arton Sefa, që aktualisht punon editoriale për revista të njohura si Vogue Germany dhe të tjera. Së fundmi Besë Studio ishte pjesë e Ethno Vibe Fashion Show organizuar nga TI Institute në Tiranë.