Dama VS

Kemi përshtypjen se Valdrin Sahiti vazhdimisht bën dashuri me të bukurën, flirton me elegancën dhe përjeton orgazma shpirtërore duke u kredhur me sensualitetin e fisshëm që e projekton një divë. Natyrisht nuk po flasim për jetën intime të Valdrinit, por për botën kreative që shpërfaqet pothuajse në të gjitha krijimet e labelit VS.

 Gjithë këto nuanca të së hijshmes, por jo vetëm këto, ndërthuren në këtë fustan të veshur nga Drilona Boci nga Altar Tirana (fotot të bëra nga Renuar Locaj). Fustani është i punuar me dantelë të zezë, me shkëlqim, e punuar me pak temin dhe me pupla që fillojnë nga supet dhe më pas rrallohen më poshtë. E veçanta e këtij fustani është transparenca që qëndron në harmoni të natyrshme me çdo detaj dhe element tjetër.  

Në rastin konkret, që shihet edhe në foto, ky fustan i nxjerr në pah shumë nga cilësitë e Drilonës si një femër me stil, damë bashkëkohore, por mbi të gjitha shpërfaq motivin me të cilën ajo udhëhiqet në jetë: për dashurinë nuk flitet, ajo jetohet! Dhe një damë është e dashuruar marrëzisht pas të bukurës, pas të gjitha hijeve dhe shtresimeve të saj, diçka që Valdrin Sahiti e di shumë mirë.