Drama e represionit dhe shfarosjes

“Gjakova një luftë ndryshe” nga Haqif Mulliqi, botuar me 2004 dhe e shfaqur premierë në Festivalin e Teatrove në Edinburg të Skocisë (me aktorët Hadi Shehu dhe Jahja Shehu) është një vepër e cila në mënyrën më rrëqethëse të mundshme e jetëson edhe njëherë tmerrin e luftës.

 

Në kontekstin e dramës teatrore, si fenomen artistik në funksion të identitetit, dua të theksoj një aspekt shumë të rëndësishëm të veprës “Gjakova një luftë ndryshe” të Haqif Mulliqit, atë të ruajtjes së kujtesës për historinë tonë. Kjo dramë e trajton një episod të shkurtër, një përjetim individual nga lufta e fundit, por që në brendinë e vet reflekton mbi dhimbjen universale të popullit shqiptar, dhimbje kjo e cila fatkeqësisht nuk trajtohet si duhet dhe sa duhet në artin tonë.

Frymëzimi për të shkruar diçka për këtë dramë më erdhi derisa isha duke lexuar një koleksion librash me përmbledhje dramash dhe studimesh për të ashtuquajturën dramë të holokaustit. Edhe pse kanë kaluar 72 vjet që nga përfundimi i luftës së dytë botërore, kujtesa botërore për ngjarjet e tmerrshme të krimeve monstruoze mbi hebrenjtë e Evropës nuk është zbehur për asnjë çast, ndër të tjera edhe për faktin se holokausti ritregohet vazhdimisht nëpërmjet veprave të vazhdueshme, si në publicistikë, letërsi, teatër dhe film. Në këto vepra, pa asnjë ekuivokë dhe ngarkesë inferioriteti, tregohet thelbi i tmerrit që përjetuan hebrenjtë. Ky tmerr është kristal i qartë edhe në veprat ku dëshmohet se jo të gjithë gjermanët ishin nazistë si p.sh “Valykrie” apo “Lista e Shindlerit”. Duhet cekur se në këto vepra ka një qasje humane, në funksion të asaj se nuk ekziston faji kolektiv dhe se jo të gjithë gjermanët ishin kriminelë, por për asnjë çast nuk lejohet as ideja e kompromisit mbi atë se kush ishte krimineli dhe kush ishte viktima. Mesazhi është i qartë: gjermanët duhet shkëputur çdo lidhje me të kaluarën e tyre dhe kjo mund të bëhet vetëm me një dënim gjithëpërfshirës të krimeve që janë bërë në emër të gjermanëve. “Gjakova një luftë ndryshe” e Mulliqit e ka një funksion të ngjashëm, por që fatkeqësisht nuk e ka përjetuar trajtimin e duhur nga opinioni jonë.

“Gjakova një luftë ndryshe”, e ndërtuar në një kompozicion të thjeshtë, ku ne, qoftë si lexues apo spektatorë, i përjetojmë në ankth ditët e fundit të jetës së gjinekologut shqiptar, të marrë peng nga polici serb për t’u kujdesur për gruan shtatzënë të policit e cila pritet të lind në çdo çast. Doktori shqiptar e ka humbur çdo lidhje me gruan dhe fëmijët e tij, për të cilët ai dyshon se janë masakruar bashkë më shumë të tjerë. Në frymën e Artur Millerit me nuanca të ngjashme me ato te “Ngjarja në Vishi”, Mulliqi zbërthen thelbin e problemit universal, atë se, gjatë dhe para luftës, populli shqiptar i Kosovës i është nënshtruar një represioni të paramenduar, me qëllim jo vetëm të shfarosjes fizike, por edhe të thyerjes së shpirtit të një populli të tërë. Kulmi i shpalimit të monstruozitetit përjetohet në zbërthimin e papritur kur doktori e kupton se polici është përgjegjës për vrasjen e familjes së tij. Doktori shqiptar e kryen detyrën e tij prej mjeku dhe e sjell në jetë të birin e policit, po të njëjtit polic që i ka vrarë fëmijët e doktorit. Gjithsesi një zbërthim i befasishëm, por tërësisht i arsyetueshëm dhe që godet fuqishëm mbi tendencën për të harruar apo për të ndërruar kuptimin e tragjedisë së popullit tonë.

Mulliqi me të drejtë i shmanget formulës së gabueshme të fajit kolektiv, sepse qasja e tij ndaj gruas së policit është njerëzore dhe ajo paraqitet në frymën e një nëne, që ia do të mirën e fëmijës së vet dhe që njëherit është mirënjohëse për kujdesin e mjekut shqiptar. Kjo është arsyeja pse ajo ia dhuron mjekut medaljonin që e kishte marrë dhuratë nga burri i saj, duke mos e ditur se po të njëjtin medaljon burri i saj polic e kishte grabitur nga gruaja e doktorit para se ta vriste bashkë me fëmijët e saj. Me qasjen humane ndaj gruas së policit dhe duke e ruajtur figurën e saj prej nëne, pavarësisht përkatësisë së saj etnike, Mulliqi vetëm se e përforcon mesazhin e tij të qartë mbi atë se kush është agresori e kush është viktima.

“Gjakova një luftë ndryshe” e Mulliqit, bashkë me dramën “Viktimat e Tivarit” të Ekrem Kryeziut, janë dy drama që trajtojnë periudha të ndryshme historike, por që janë në funksion të ruajtjes së kujtesës për atë që populli ynë ka kaluar. Këto dy vepra, bashkë me disa vepra të tjera të autorëve të tjerë, me të drejtë duhet të kategorizohen si pjesë e asaj që mund të quhej “Drama e represionit dhe e shfarosjes”, qasje që duhet të trajtohet edhe më shumë dhe të promovohet. Fatkeqësisht, ne, si artistë dhe intelektualë, hezitojmë të krijojmë dhe të promovojmë vepra që janë në funksion të ruajtjes së kujtesës për tragjedinë e përjetuar gjatë historisë. Gjithsesi suksesi i filmit “Shok” si dhe i filmit “Home”, që si trajtim po ashtu bëjnë pjesë në “dramën e represionit dhe shfarosjes” është një tregues i fuqishëm i rëndësisë së trajtimit të drejtë të historisë sonë të dhimbshme.

Harresa jonë, qoftë nga neglizhenca qoftë si rezultat i një kalkulimi, përbën një de fakto pranim të logjikës, që amniston agresorin, se të gjithë kanë qenë kriminelë dhe se të gjithë janë viktima. E them këtë, pasi që jam i vetëdijshëm se ndonjëherë sikur ka një prirje jo të mirë që të relativizohet historia jonë e fundit. “Gjakova një luftë ndryshe” duhet të shërbejë si model në qasje për të gjithë krijuesit e rinj, pasi që kjo vepër nuk është e ngarkuar me diçka që do të mund të cilësohej si qasje nacionaliste, por në të njëjtën kohë është tërësisht në funksion të ruajtjes së kujtesës dhe krenarisë nacionale. Ky detaj është i një rëndësie të madhe, sepse vetëm duke u kapur fort mbi identitetin dhe vlerat tona mund edhe të bëhemi pjesë e identitetit evropian.