Endi, ylli në ngjitje e sipër

Nga larg të përkujton diçka nga Jessica Alba, por nga afër ajo është thjesht Endi. Dhe pikërisht kjo e bën të veçantë.

Endi Cini është një modele e re që karrierën e saj e ka filluar me agjencinë Grace Models Albania, ndërkaq e shohim edhe si pjesë e emisionit Pop Culture në Top Channel. Ajo është imazhi i ri që shqiptarët kanë filluar ta duan dhe ta vlerësojnë.

Në portofolin e saj Endi ka disa projekte të veçanta të realizuara nga fotografë të ndryshëm (për këtë shënim kemi zgjedhur foto të shkrepura nga Renuar Locaj, Juxhin Kurti dhe Çlirim Rusi si dhe videon klipin e këngës “Sweet Cruelty” nga Gjergj Kaçinari), por kemi përshtypjen që Endi akoma nuk ka shpërfaqur potencialin e vërtetë. Endi sikur ka nevojë të dalë nga zhgualli i ndjenjës së sigurisë që krijohet nga përpjekja për të qenë gjithnjë korrekte dhe në linjë me skemat shterpe të shoqërisë sonë, përfshirë edhe skemën e të qenit një figurë Barbi që e adhurojnë të gjithë.  

   

Endi Cini është gjimnaziste, por kjo nuk është defekt, përkundrazi një avantazh i madh. Para vetes, Endi ka perspektivën e shumë viteve me përplot mundësi, natyrisht në qoftë se do të dijë të gjejë rrymën e duhur përmes joshjeve që sjell fama, atyre valëve të turbullta të botës së egër të modelingut shqiptar. Gjithsesi edhe nëse ia del të vazhdojë të kujdeset për trupin e saj, duke e trajtuar atë gjithnjë me delikatesë dhe dashuri.