Ëndra parisiene e Endrit Mertirit

Foto-modelet Orjola Marashi, Elena Lika, Ksela Lara dhe Alesia Noka, të veshura me krijimet e veçanta të Frederika Muços janë personazhet e rrëfimit parisien të fotografit të njohur Endritit Mertiri.

Albatros Rexhaj

Na ishte një kohë kur vetë Parisi ishte femër!

Ky mendim  nuk përbën vetëm pjesën goditëse të librit dhe filmit të njohur “Parisi ishte femër”, por nëse e mendon më thellë, shpirti i qytetit që rizbuloi lirinë dhe barazinë – si binom që shkrihen te njëra-tjetra – assesi nuk mund të jetë mashkull!  Prandaj nuk është aspak e rastësishme që, ngritjen në një nivel më të lartë të obsesionit të tij personal për bukurinë dhe delikatesën femërore, Endriti ka vendosur ta bëjë pikërisht në Paris, në kryqëzimin ku takohen ëndrra, intelekti, forca dhe guximi femëror.

Jo pak fotografë, përballë modelesh të veshura si nuse, do të përcaktoheshin për mesazhe të tjera, ndërkaq Endriti ka zgjedhur që Orjola Marashi, Elena Lika, Ksela Lara dhe Alesia Noka, të veshura me fustane nusërie të dizajnuara nga Frederika Muço, të shfaqen si personazhe që përçojnë idenë e refuzimit të ideve klishe, që pjesa jonë e botës rëndom ka për Parisin, si qytet që (vetëm) të bën të ndjehesh elegante dhe seksi. Shihet qartë se të katërtat janë plot koket dhe sensualitet, por po ashtu janë edhe kokëforta dhe rebele!

Rrëfimi parisien mbase nuk është një nga punët më të mira të Endritit, por gjithsesi është një nga krijimet e tija më frymëzuese. Në lokacione të ndryshme në Paris, ndonjëherë edhe në mes të trafikut më të dendur, të rrezikuara nga makinat që kalonin me të shpejtë, në objektivin e Endritit, modelet shqiptare prezantohen si parisiene ndryshe nga përfytyrimi ynë i rëndomtë. Dhe ata që njohin shpirtit e këtij qyteti emblemë të lirisë, si manifestimin më sublim të ngritjes kulturore të një komuniteti, e dinë se të qenit parisiene ndërlidhet me idenë themelore se një femër jo vetëm që ëndërron,  por ajo edhe di, mundet dhe guxon. Dhe në nuancat në mes të këtyre katër shkallëve të maturimit shpirtëror dhe intelektual, ngjizen vragat e përplasjes me realitetin. Shija e të katër këtyre virtyteve (ëndrra, intelekti, forca dhe guximi), bashkë me vragat në mes, ndjehet në këto fotografi të Endritit, dhe është pikërisht kjo qasje e tij që e bën të veçantë këtë set fotografik.

Në aspektin teknik, veçantia kryesore e këtij seti është shfrytëzimi i dritës difuzive, tërësisht natyrore, me theks në përthyerjen e dritës nga toka, por edhe nga objektet përreth. Drita dhe ngjyrat janë të buta, tërësisht në funksion të subjektit apo subjekteve në fotografi. Elementi tjetër i rëndësishëm i formulës kreative të përdorur nga Endriti është loja me fokusin, e ke përshtypjen sikur fokusi është i shpërndarë në disa pika brenda fotografisë, duke krijuar ndjesinë e thellësisë. Syri i njeriut i kap imazhet si forma tredimensionale, ndërkaq aparati fotografik i kap si forma dydimensionale, por, në kushte të përshtatshme të dritës së butë, fare bukur mund të krijohet edhe ndjesia e dimensionit të thellësisë. Në duar të një mjeshtri, që di si ta përpunojë dimensionin e thellësisë, fokusi i aparatit i përafrohet fokusit të syrit njerëzor, prandaj ky tip fotografie përçon edhe një efekt relaksues, ashtu siç bëjnë edhe këto foto të Endritit.

Ky shënim nuk do të kishte kuptim nëse nuk theksohet edhe roli Frederika Muços, jo vetëm si kreatore e veshjeve, por edhe si stiliste e të gjithë setit, si dhe funksioni i pazëvendësueshëm i Suela Çangut, si një nga “Make Up” artistet tona më të mira, që, pa teprime, di të nxjerrë në pah të bukurën.

 

(ky reflektim është krejtësisht personal)