Esenca e një sirene shqiptare

Modelja e njohur dhe fotografi Renuar Locaj këtë verë sollën foto projektin e tyre “Si nuk jam një sirenë” realizuar diku në bregdetin shqiptar. 

Një sirenë deti nuk trembet nga thellësitë e detit dhe as nga dallgët e rrëmbyeshme, por nga të gjalluarit në ujëra të cekëta, ku edhe më mendjendrituri ndër ne ngulfatet nga dritëshkurtësia dhe ligësia e atyre që cektësinë dhe goditjet e ulëta i kanë model dhe stil jete. Pak a shumë kjo është ideja artistike prapa foto projektit “Si nuk jam një sirenë”, punuar nga fotografi Renuar Locaj me protagoniste modelen e njohur Fioralba Dizdari. Padyshim një rrëfim jetësor, që mbase mund të jetë i ngjashëm me rrëfimin e secilit që synon një jetë përtej monotonisë së të rëndomtës, e që Fioralba dhe Renuari na e sjellin në pesë fotografi, tre në formatin kolor dhe dy në formatin bardhezi.

Në fushën e modelimit dhe fotografisë, ky projekt paraqet një nga punët më të paqme të verës që po lëmë pas, si për nga zotësia teknike që ka treguar Renuari po ashtu edhe nga investimi shpirtëror dhe artistik që ka bërë Fioralba. Parë si tërësi, për nga energjia që përçon, ky projekt sikur bart një mesazh krejtësisht personal nga ana e Fioralbës, dedikuar publikut të gjerë, por edhe komunitetit të modelingut dhe fotografisë në Shqipëri. Nuk ka asnjë dilemë se ky mesazh personal i Fioralbës përbën edhe një përpjekje për demonstrim të një fuqie artistike përballë rrëmujës së madhe të krijuar nga vërshimi i emrave të rinj, por edhe të vobektësisë shpirtërore që një pjesë e madh e këtyre emrave shpërfaqin.

Të jesh modele nuk mjafton të jesh veç e bukur apo të jesh HOT, gjithnjë sipas idesë se bukuria femërore matet sipas shkallës së aktivizimit të testosteronit mashkullor. Jam i vetëdijshëm se te ne, në një masë të madhe, mbizotëron pikërisht kjo ide arkaike mbi të qenët modele dhe, siç ndodh edhe në shumë fusha të tjera, neglizhohet tërësisht elementi shpirtëror që përbën elementin vendimtar në ndarjen e hollë, por gjithsesi shumë të dukshme, në mes të një kukulle plastike dhe të një artisteje. Kjo e fundit nuk është thjesht imazh, por ajo përçon një energji, një mesazh të koduar, që secili e kupton në një mënyrë krejtësisht personale, dhe që nxit fantazi diskrete te publiku. Duhet pranuar një gjë, meshkuj apo femra, të gjithë jemi qenie të fantazisë dhe si të tilla bukurinë nuk e përthithim si një ngacmim shqisor, por si ushqim shpirtëror, prandaj edhe në fantazitë tona gjërat dhe njerëzit janë shumë më të mirë sesa që janë në realitet.

Mjaft nga modelet tona, por edhe fotografët, janë tërësisht të dhënë pas plastikës, ngacmimit të shpejtë dhe anashkalojnë tërësisht dimensionin shpirtëror të ngacmimit, atë që ka fuqinë të magjepsë mijëra e mijëra fansa të cilët janë të pafuqishëm të rezistojnë dhe pothuajse të gjithë bien në  një dashuri virtuale me idhullin e tyre. Me gjithë rezervat që mund të kemi për disa nga projektet e mëhershme, te ky projekt Fioralba Dizdari demonstron pikërisht fuqinë e saj që te publiku të përçojë dimensionin shpirtëror të ngacmimit, natyrisht e gjithë kjo e kapur me mjeshtëri nga Renuari. Më herët, detaje të kësaj fuqie të veçantë të Fioralbës ka kapur edhe aparati i fotografes Iva Kozeli e cila po ashtu, për dallim nga disa emra të tjerë jo të vegjël të fotografisë, ka ditur të kapë esencën e shpirtit artistik të Fioralbës dhe nuk është përhumbur në detaje rrethanore.

Përgjithësisht janë tre rrafshe themelore ku mund të bëhet analiza e një fotografie artistike, në këtë rast edhe i pesë fotografive të projektit “Si nuk jam një sirenë”: përshkrimi faktik, analiza teknike dhe reflektimi personal. Në të gjitha këto fusha të trajtimit, Renuari ka arritur që të nxjerrë një produkt mbi të rëndomtën e përgjithshme të punës së realizuar gjatë kësaj vere. Renuari ka arritur që të çlirohet nga Fioralba si personazh, si modele dhe si miss bukurie, dhe në qendër të fotografive të veta vendos thjesht një femër, veshur me kostum plazhi, diku buzë detit, në një ditë të bukur vere. Pavarësisht theksimit të qartë të detajeve si sytë, thellësia dhe misticizmi i shikimit, flokët, duart e të tjera, Fioralba na vjen si një fytyrë që për aq sa është e përveçme, po ashtu ka edhe tipare arketip, padyshim një produkt i shkathtësisë artistike të Renuarit. Lexuesin do ta kursej nga analiza formale e fotografive, pasi që kjo është një fushë e interesit të ngushtë për profesionistët e fushës, por edhe për faktin se Renuari tashmë ka një dorë pune të formuar artistikisht dhe teknikisht që natyrshëm dhe vetvetiu krijon harmoninë e duhur të detajeve teknike të domosdoshme për një fotografi artistike.

Pastërtia e figurës së femrës, që krijohet nëpërmjet Fioralbës, krijon bazën e domosdoshme për rrafshin e reflektimit, ku vëzhgues të ndryshëm reagojnë në mënyra të ndryshme dhe kanë ndjesi të veçanta. Nëpërmjet fuqisë së detajit – spikatja e syve, thellësia e shikimit, era e detit duke lozur me fijet e flokëve e deri te detaji i pikës së ujit mbi lëkurën e saj – krijohet përshtypja e dilemës jetësore që një sirenë deti (në këtë rast metaforë për një femër të guximshme, me botë të pasur e me ide të shumta) ka atëherë kur gjendet në ujëra të cekëta. Nuk duhet harruar se një sirenë deti del në breg vetëm atëherë kur beson në sinqeritetin e atij që e fton ta bëjë këtë dhe siç dëftojnë panumër shumë legjenda, sirenat që dalin në breg rëndom zhgënjehen nga mungesa e sinqeritetit njerëzor. Edhe në këtë rast, fenomeni i zhgënjimit, për aq sa është ndjesi themelore njerëzore, përbën një kategori krejtësisht artistike, tip brumi artistik universal. Nëpërmjet identifikimit me një sirenë deti, Fioralba vë theksin te dimensioni shpirtëror i bukurisë dhe jo te elementi plastik i saj, pasi që edhe në aspektin mitologjik sirenat janë sinonim i bukurisë së pastër femërore dhe jo i bukurisë që identifikohet me vija detajesh siç janë gjinjtë, vithet etj. Nëse analizojmë me kujdes fotografitë mund të vërejmë se Renuari përpiqet që Fioralbën ta paraqesë pikërisht në imazhin diskret të një sirene dhe jo si një femër trofe, pra dicka shumë e thyeshmë nëse nuk trajtohet me respekt e me kujdes.

“Si nuk jam një sirenë” përbën një mesazh përtej idesë femërore për botën, sepse të gjithë ne, meshkuj apo femra, jo rrallëherë ndihemi shumë të ngathët në cektësinë e shoqërisë sonë. Prandaj edhe priremi të tërhiqemi ndaj detajeve si deti, lartësitë e maleve, ujërat e rrëmbyeshëm e të ngjashme, sepse ato përbëjnë sinonime të idesë sonë mbi lirinë individuale. Një diçka që ne sot na cungohet e hera herës edhe na privohet në tërësi. Dhe kjo më kthen në thelb të asaj që më ka shtyrë për ta bërë këtë shënim: të gjitha rrëfimet tona jetësore, deshëm apo nuk deshëm, shfaqen në sytë tanë.

Njëlloj ashtu siç shihen qartë edhe në sytë e Fioralbës në tre fotografitë e para të këtij projekti.

Aty shihet e gjithë bota e fshehur.