Flirti i Edvinës me të bukurën e brendshme

Edvina Meta është ndër të paktët fotografë shqiptarë me mprehtësinë e duhur që një projekt tërësisht komercial ta kthejë në një editorial me premisa të mjaftueshme artistike. Editoriali i punuar për revistën “Bordo”, me tematikë stolitë nga Roberto Bravo, përbën një shembull tipik të kësaj dhuntie. Natyrisht, në këtë rast, nuk mund të neglizhohet puna fantastike e grimeres Egerta Shehu që me kujdesin e saj ka transformuar Sindi Gjoshen dhe Edris Cekën nga GraceModels Albania, duke i kthyer ato në personazhe sa arkaike ashtu edhe bashkëkohore, një miks i oksidentit dhe orientit, por edhe i konkretes dhe të çuditshmes që frymon brenda secilës femër.

Këtu stolitë nuk janë vetëm aksesorë! Madje do të mund të thoshim, në këtë editorial, stolitë janë kthyer në gjenezën e vet: stolitë nuk janë e bukura, por janë detaji organik që e nxjerr në pah bukurinë dhe sensualitetin e femrës. Brenda konceptit të Edvinës, stolitë janë ngjizur me qenien e Sindit dhe Edrisit dhe bashkë më grimin e veçantë krijojnë një botë në vete. Sindi dhe Edris shpërfaqin siluetat e tyre më të mira femërore, sensualitetin flirtues që provokon shpirtin dhe jo vetëm mishin.  

Edvina Meta është një nga ikonat e fotografisë shqiptare. Ajo provokon shpërfaqjen e bukurisë femërore përtej prizmit aktual, të dominuar tërësisht nga pikë vështrime tërësisht maskiliste.

Sindi Gjoshe ëshë një modele që komunikon bukur me kamerën dhe përbën shembullin e modeles ideale për foto të tipit portret, ndërkaq Edris Ceka përbën atë tip të modeles që fare lehtë mund të përfshihet në grupin e sirenave të sensualitetit, nga ato të paktat që ia dalin të provokojnë dhe turbullojnë shpirtrat.