Foto rrëfim: Niki & Sara

Mund të ketë gjithfarë lloj sistemi vlerësues, por, në fund të çdo përsiatjeje, një femër ose është tërheqëse ose nuk është, nuk ka mes. “Lojëra të rrezikshme”, kështu do ta quajmë këtë foto rrëfim të Toni Golloshit, pasi që në fokusin e aparatit të tij, Nik Deligiorgi dhe Sara Kolami, nëpërmjet vetëm tre fotografive, sikur zbërthejnë esencën e manualit të tërheqjes fatale që mund të shpërthejë nga një femër, një shatërvan të “amorous emotions”  tërësisht pa filtra – ndaj një mashkulli, por pse jo edhe ndaj një femre, nga ato që kruhen nga brenda për të provuar diçka ndryshe.

Në foto rrëfimin e Tonit, Niki dhe Sara janë personifikim i atij tipi të femrës të cilës dëshiron t’i afrohesh, andrallos ta shijosh dhe të mbytesh në vërshimet e afshit të saj, por thjesht nuk ta mban as t’i flasësh. Ato, në binom, përçojnë vetëbesim të një doze deri fatale: projektojnë imazhin e një femre që çdo gjë e bën me plan dhe me saktësi, të maskuar pas akrobacive kaotike, por edhe pas asaj që sot cilësohet si “bitch shield”, arma më sensuale e një femre bashkëkohore.

E veçanta tjetër e këtij foto rrëfimi është miksimi i energjisë maskiliste dhe asaj feminine brenda një imazhi, por, në këtë rast, të përçuar vetëm nga subjekte femra. Mbase dikur mjaftonte që femra thjesht të kishte cilësitë biologjike, por sot kjo nuk është e mjaftueshme.

Qoftë si rrjedhojë e ndrydhjes së femrës, që akoma vazhdon, por edhe e nevojës për të garuar me meshkujt, si efekt anësor i emancipimit, nuk janë të pakta ato femra që kanë humbur sinkronin me feminitetin brenda vetes. Pavarësisht preferencave të saja për veten dhe për gjithçka, femra duhet të jetë natyrshëm femërore, si kundër-balancë e hijshme për maskilinitetin: ky është një nga mesazhet e koduara në hijet e këtij foto rrëfimi.

Teknikisht i saktë dhe i pastër, Toni Golloshi, si fotograf i ri, në shumëçka krijon përshtypjen e një pasuesi të stilit të Bevis Fushës, duke e rifreskuar këtë stil me nuanca të adrenalinës bashkëkohore.