Irena Kita – Forever young and beautiful

Petali më kokëfortë i një trëndafili, pikërisht ai që kapet fort për idenë e freskisë së përhershme: kjo është Irena Kita.

Nuk dimë çfarë bën Irena, ndoshta ajo është larë në shatërvanin e rinisë, ndoshta është magjistricë apo mbase ka zbuluar ndonjë formulë sekrete, por një gjë është e sigurt: Irena Kita është vërtet FOREVER YOUNG dhe FOREVER BEAUTIFUL. Apo siç do të mund të thoshin adhuruesit parisien të bukurisë: une dame suprême à adorer comme déesse contemporaine!

 

Suksesin e saj si damë fashioniste do t’ia atribuonim: shijes delikate të Irenës që shpërfaqet gjatë përzgjedhjeve që ajo bën, si diçka tejet personale dhe e pandikuar nga të tjerët; kujdesi që të promovojë zgjedhje të kapshme dhe jo fiksim pas glamour-it; si dhe prania e përhershme e një fotografi të mirë.

Me shembullin e saj prej fashionisteje, si një juriste e suksesshme dhe një grua e karrierës, Irena e thyen mitin e rrejshëm se fashionistet janë ca tipa femrash që reputacionin e ndërtojnë kryekëput me fuqinë e lekut, duke blerë rroba të shtrenjta dhe duke eksploruar sallonet e bukurisë. Irena fuqizon idenë se një femër gjithnjë mund të duket bukur, brenda mundësive që ka, dhe se gjithnjë mund të ndërtojë një emër të respektuar, në qoftë se tejkalon një barrierë të madhe: atë të të qenit pasiv në raport me veten.

Madem Irena demonstron se freskia nuk është kategori fizike, që lidhet me pafund faktorë, duke filluar nga kujdesi ndaj vetes e deri te mosha, por është një kategori shumë specifike shpirtërore. Por për ta çliruar këtë ndjesi, pothuajse magjike, në mënyrë që ajo më pas t’i japë krahë ideve dhe shpërthimit të shpirtit kreativ, një femër duhet që vërtet ta dashurojë jetën, si esencë, ashtu siç bën Irena, dhe jo vetëm si deklarim prozaik.

Natyrisht, në përplasje me mendësi arkaike, qasje tërësisht pa asnjë ndjesi arti, të asaj pjese të turmës që gjithnjë bën zhurmë, të jesh e tillë nuk është aspak e lehtë. Por në një botë ku femra shqiptare gjithnjë e më shumë kompleksohet me pamjen në përgjithësi dhe në veçanti me dukjen dhe format e trupit të vet, Irena Kita është një shembull i suksesit dhe supremacisë së thjeshtësisë elegante mbi sforcimin dhe nevojën, pothuajse të zymtë, për t’u dukur me çdo kusht.