Lady Lulu

Sarah është ideatore dhe pronare e “Lulu’s Coffe & Wine”, mbase vendi më cool në Prishtinë, por kjo nuk e bën atë subjekt të këtij shënimi. Imazhi që ajo prezanton çdo ditë në instagram, si blogere e veçantë në atë që prezanton, stili i jetës, paraqitja dhe energjia që përçon, saqë krijon përshtypjen e një fisnikeje skandinave që ka mësuar shqip dhe jeton mesh nesh, janë subjekt i këtij shënimi.

 

Realisht çfarë do të thotë të jesh damë?

E pasur, e hijshme si modele, e famshme si prezantuese televizive? Apo asnjëra nga këto?

Me mënyrën e saj të jetës, një femër ndërmarrëse, plot ide, me shumë finesë bontoni dhe që tërë kohën kuron imazhin e saj, një blogere që nuk promovon glamourin por etjen për lumturi, Sarah dëshmon se një femër mund të jetë e adhuruar dhe e respektuar pa i pasur përmasat e një modeleje, famën e një prezantueseje apo pasurinë e një ylli, por thjesht duke qenë vetja. Me shembullin e saj, ajo përfaqëson të gjitha ato femra që, përkundër obligimeve të jetës, nuk i dorëzohen as viteve dhe as sfidave të jetës, por ia dalin të ruajnë diçka thelbësore nga freskia e rinisë së hershme.

Brenda secilit prej nesh ekziston dilema: të jemi Lulu, të jemi vetja, apo një Lolo, dikush që vazhdimisht bën kompromise dhe lodhet nën presionin e të qenit tërë kohën në vijën e frontit të padukshëm!

Madam Sarah, por jo vetëm ajo, ka zgjedhur të jetë vetja.

Të jetë një damë, një Madam Lulu!