Medea Milo – Mjeshtre e portretit

Medea Milo është një fotografe të cilën e kemi zbuluar rastësisht gjatë shfletimit të shumë profileve në instagram, por, dhe këtë e themi me shumë përgjegjësi, është vërtet mëkat që nuk e kemi rastisur më herët.

Portretet e Medeas përbëjnë një shembull të një fotografeje që frymon ndryshe, fotografitë sikur kanë një pikë më të madhe rëndese nga portretet që hasim diku tjetër. Finesa që Medea tregon gjatë përpunimit dhe retushimit të fotografisë synon të shkrijë të gjitha kufijtë në mes të fotografisë dhe pikturës. Produkti final që Medea nxjerr nuk është më veçse një shkrepje aparati, që ka kapur një çast të veçantë të subjekti, por është një dritare drejt shpirtit të subjektit: imazh, thellësi, ndjesi dhe ngrohtësi.

Në epokën e fotografisë digjitale, përpunimi dhe retushimi i fotografisë është pjesë e pandashme e procesit kreativ, madje nuk gabojmë nëse themi që teknika e përpunimit përbën një lloj arti në vetvete. Teknika që Medea përdor gjatë përpunimit të fotografisë përbën një shembull të mirë të teknikës që në plan të parë nxjerr më të mirën e një shkrepjeje dhe jo të shfrytëzimit të retushimit si teknikë për të krijuar një iluzion optik, ndër të tjera edhe për ta tjetërsuar subjektin e fotografisë.

Mund të duket ambicioze, por, në vlerësimin tonë, në tipin e portretit, Medea Milo është ndër artistet më mirë të fotografisë shqiptare. Në zhanret tjera, ato të fotografisë konceptuale dhe sureale, kemi përshtypjen që Medea Milo është një pasuese e frymës së lëvruar më parë nga Edvina Meta, prandaj vlerësojmë që, në këto tipe të fotografisë, ashtu siç ka bërë te portreti, Medea duhet të gjejë zërin dhe tonin e vet unik të të shprehurit.