Ndikueset e modës: Odeta dhe Estela

Industria e modës ka kohë që më nuk ndikohet vetëm nga revistat apo televizionet dhe muret e tyre të larta që shiten si finesa të shijes. Janë po këto forume që kanë institucionalizuar urinë si domosdoshmëri dhe puritanizmin perfeksionist mbi përmasat dhe dukjen fizike të një femre. Falë Zotit, për më tepër së një dekadë jetojmë në kohën e blogerëve dhe ndikuesve të tjerë që jo vetëm rafinojnë shijet, por edhe zgjerojnë horizontet e asaj çfarë është, por edhe çfarë fashion mund të jetë. Dhe më e rëndësishmja, me shembullin e vet, dëshmojnë se jo secila duhet të jetë modele (ato skeletet e uritura për gjynah) në mënyrë që një femër të bëhet jo vetëm konsumuese e modës së mirë, por edhe protagoniste e saj.

Odeta Banushaj dhe Estela Ujka janë dy nga ndikueset më interesante në Tiranë, si për nga stili që kultivojnë ashtu edhe për nga mesazhi dhe aura e përgjithshme që ato përçojnë. Arsyeja pse kemi veçuar Odetën dhe Estelën ka të bëjë kryekëput me potencialin e tyre për të frymëzuar qindra gra dhe vajza të rritura që përballen me sfidën e të qenit femër normale, pa ato përmasat fantazmë të pasarelave dhe ekraneve televizive.

Odeta dhe Estela nuk janë model frymëzimi vetëm për mënyrën e veshjes, por edhe për mënyrën si një grua apo vajzë duhet të përqafojë domosdoshmërinë për të respektuar trupin dhe veten. Duke e bërë këtë, Odeta dhe Estela himnizojnë një nga shtyllat themelore të estetikës së modës: fashion nuk është vetëm pamje dhe stil, fashion është attitude, qëndrim si ndaj të tjerëve ashtu edhe ndaj vetes. Dhe kjo është një diçka shumë sexy.