Provokimi intrigues i Drenusha Xharrës

E guximshme dhe pak e çuditshme! Kështu do ta përshkruajmë këtë veshje intriguese të punuar nga Drenusha Xhara, që është veshur nga Xhesika Berberi dhe që është prezantuar nëpërmjet aparatit të fotografit amerikan Rinaldo Sata, si pjesë e kampanjës promovuese për B&B Couture, loft style boutique në Nju Jork.

Ky vjeshje përbën rastin e një eksplorimi interesant të formave gjeometrike dhe motiveve nga bota e maceve të egra, me idenë që të krijohet një veshje provokuese që flirton me kufijtë e largët të tipit naked dress. Si i tillë, ky krijim është një shtojcë ndryshe në portofolin e disenjatores, por sado që kjo veshje është e veçantë, kemi përshtypjen që Drenusha Xharra është shumë më goditëse brenda stilit të saj tashmë të dëshmuar të veshjeve me frymë paksa klasike dhe sensuale. Gjithsesi, pa asnjë dyshim dhe këtë duhet thënë me plot gojë, kjo veshje fare lehtë do të mund të gjente rrugën e vet deri te tapeti i kuq i cilitdo eventi të madh arti, veshur nga ndonjë prej artistëve apo modeleve të njohur për ekstravagancën e tyre provokuese.

Xhesika Berberi përbën atë tip të modeles që mund t’i japë jetë dhe shkëlqim të veçantë pothuajse çdo tipi të veshjes, por kemi përshtypjen se ku tip veshjeje nuk e nxjerr në plan të parë më të mirën e Xhesikës. Përderisa nuk ka asnjë dyshim që ky krijim nxjerrë në plan të parë vijat ekzotike të fizikut të Xhesikës, megjithatë sikur i bën hije glamurozitetit të saj si femër.