Pse meshkujt nuk i shprehin ndjenjat e tyre!?

Në biseda të shumta me mikeshat e mia, kjo pyetje gjithmonë e gjen mënyrën që të dalë në pah dhe më pas të konsumojë pothuajse të gjithë kohën tonë. Unë e shtrova si pyetje, por në realitet mikeshat e mia nuk bëjnë pyetje, ato shprehin revoltën e tyre me atë që ato e cilësojnë si ftohësi e gjinisë mashkullore. Reagimin e tyre nuk mund ta cilësojë ndryshe pos si një amalgamë të çuditshme të mërive dhe zhgënjimeve të shumta. Kam përshtypjen se femra shqiptare është e hidhëruar thellë me mashkullin shqiptar dhe tani sikur ka rënë në një dilemë nëse do të duhej që ta adhurojë apo ta nënçmojë atë.

Nga Albatros Rexhaj

Unë nuk do të përpiqem që të japë përgjigje në këtë pyetje dhe as nuk do të përpiqem që të kundërshtoj arsyet e mundshme për këtë hidhërim. Duke mos dashur që të bëj avokatin as të meshkujve dhe as të femrave, do të përpiqem që, duke u nisur nga vetja, nga shokët dhe të njohurit e mi, duke u përpjekur që të jem sa më i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, të shpjegoj diçka nga ky “misteriozitet” i mashkullit shqiptar që duket se edhe është filli i kësaj historie.

Meshkujt janë produkt i vetë femrave
Kush i edukon meshkujt? Pothuajse secili mashkull shqiptar është produkt i edukimit të një femre shqiptare. Çfarë përgatisin për jetë këto femra? Burra apo çuna mami? Mendimi që nëse shprehesh je një mashkull i dobët (që ne ia veshim arkaizmit të shoqërisë sonë) e ka zanafillën nga edukimi që çunat marrin pikërisht nga një femër shumë e rëndësishme në jetën e tyre, pra mami. Të pakta janë ato nëna shqiptare që e edukojnë të birin që kurrë të rritet të dashurojë me ndjenjë, sinqeritet, komunikim të hapur dhe pasion. Nëse secila femër shqiptare do të ndalej vetëm një çast dhe të mendonte se çuni i vogël i saj një ditë do të jetë i dashuri i një vajze apo burri i një gruaje tjetër shumëçka do të ishte ndryshe. Atë idenë që mashkulli duhet të jetë kështu apo ashtu dhe ato arkaizmat tjera (mos qaj, bëhu i fortë, bëhu me lekë etj, tipike për shoqërinë tonë) i ngjizin vetë nënat shqiptare, jo vetëm ato të kohës së Enverit, por edhe këto nuset e reja dhe moderne të ditëve të sotme. Kaq ka ky muhabet.

Femrat janë konfuze në atë çfarë duan!
E thënë kështu tingëllon shumë provokuese, por kjo thënie paksa stigmatike fsheh një dromcë vërtetësie e cila nuk mund të shmanget. Femrat shqiptare jo rrallë herë deklarohen se e dëshirojnë në jetë një mashkull që nuk do të ngurronte të shprehej, por unë pyes nëse ato vërtetë e vlerësojnë një mashkull të tillë? Nuk është se nuk ka meshkuj që nuk shprehen, madje ka edhe nga ata që shkojnë shumë larg në shprehjen e ndjenjave, por ne meshkujt e kemi mësuar, me shembuj dhe përvoja jo të mira, se pavarësisht çfarë deklarojnë, një pjesë jo e vogël e femrave shqiptare nuk e vlerësojnë si “mjaftueshëm burrë” një mashkull që nuk ngurron të shprehet. Jo pak meshkuj kanë përfunduar shpirtërisht të thyer dhe të lëkundur deri në themelet e burrërisë së tyre, sepse ajo zonjusha apo zonja e ka ndier veten superiore, pikërisht për shkak se ky ka luajtur me letra hapur. Gjatë bisedave me mikeshat e mia, atëherë kur ngulmojë në të vërtetën, ato ma pranojnë se më shumë tërhiqen drejt një mashkulli që nuk ua var kundrejt një tjetri që hapur ua shpreh dashurinë. Madje, nga ajo që shoh dhe dëgjoj, kam ardhur në përfundimin se kjo “mos varja” paska brenda vetes një masë të jashtëzakonshme joshëse. Për mua, si mashkull, kjo përbën një absurd, por ja që ky është realiteti: nëse do të kapësh një femër, nuk duhet t’ia varësh. Vetë femrat shqiptare na kanë edukuar që kjo është strategjia më efektive.

Edhe meshkujt ndiejnë, madje më fuqishëm.
Femrat e kanë të vështirë ta pranojnë se meshkujt thjesht janë ndryshe dhe shumë shpejt vinë në përfundimin që meshkujt janë sipërfaqësor dhe nuk ndiejnë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Meshkujt ndiejnë, madje ndiejnë shumë më fuqishëm se një femër, por thjesht dallojmë në mënyrën si mbërrijmë te ndjenja. Për ilustrim do të them se motori emocional i femrave është me benzin, d.m.th. ndizet më shpejt dhe me lehtë kap shpejtësi të larta, ndërkaq motori emocional i ne meshkujve është me dizel, d.m.th ndizemi më ngadalë dhe edhe më ngadalë kapim shpejtësi të larta. Por, secili adhurues makinash e di që kur një motor dizel nxehet dhe e kap një shpejtësi të caktuar nuk ndalon aq lehtë. Kështu jemi edhe ne meshkujt. Na duhet pak kohë që të përpunojmë ndjenjën dhe të bindim veten në vërtetësinë e asaj që ndiejmë, por kur e bëjmë këtë nuk ka forcë që na ndal. Femrat kanë durim për shumëçka në jetë, por, përvoja na ka mësuar, që femrat shqiptare kanë shumë pak durim për të kuptuar se mashkulli para se të shprehet me fjalë, shprehet me gjithçka tjetër, p.sh nëse është nevoja do të rrahet me të gjithë lagjen për ty dhe vetëm pastaj do të ta pranojë që të do.

Meshkujt janë fatalistë
Kur në dashuri i plas filmi, një femër eksplodon nga brenda jashtë, ndërkaq një mashkull eksplodon nga jashtë brenda. Kjo është arsyeja pse dhimbjet e dashurisë neve na shkatërrojnë dhe na rrëzojnë për toke. Kjo është edhe arsyeja pse, në dashuri, meshkujt dinë të jenë fatalistë dhe pse meshkujt, në emër të dashurisë, shumë më tepër se femrat bëjnë vetëvrasje. Mendoni pak për këtë!

Stresi i brishtësisë, ky perandor i heshtur
Edhe shkenca pajtohet që meshkujt nuk mund ta përballojnë stresin, ashtu siç janë në gjendje që këtë ta bëjnë femrat. Femrat duhet ta kuptojnë që për meshkujt është stresues edhe ai momenti kur një e kupton se ka rënë brenda, sepse ndihet tmerrësisht i brishtë. Fatkeqësisht janë të pakta ato femra që dinë të kapitalizojnë mbi këtë situatë, duke e trajtuar butë dhe me dashuri këtë brishtësi stresuese që e përjeton një mashkull. Në realitet, janë vetë femrat që na kanë mësuar se kjo brishtësi e jona, nuk shihet si diçka e bukur, por si diçka që kthehet në një armë të egër e të pashpirt kundër nesh. Nëse një mashkull e sjell në pikën që t’i sfidohet esenca e krenarisë së tij mashkullore, mos prit që ai ndonjëherë do të ta falë këtë gjë.

Femrat e interesit
Te jo pak meshkuj është krijuar bindja (mbase jo e drejtë) që femrat duan thjesht një burrë, ta kenë një letër me firmë celebrimi. Jo pak herë ndihemi të bombarduar me stresin e pritshmërive të njëanshme që krijojnë vetë femrat. Një mashkull ndihet i cenuar dhe i manipuluar, nëse propozimi për diçka më serioze nuk vjen nga vetë ai. Heshtja dhe fshehja e ndjenjave ndonjëherë është edhe një mekanizëm mbrojtës për të lexuar qëllimet e vërteta të femrës.

Komunikimi i shprehjes së interesit
Fatkeqësisht, femra shqiptare, në raport me një mashkull, ka dy instrumente: mospërfilljen apo imponimin. Që të dyja prodhojnë stres, ndërkaq përball stresit dhe në mungesë të një hapësire të ndërmjetme, meshkujt rëndom zgjedhin të shmangen dhe të tërhiqen. Femrat duhet ta kuptojnë që të mos ia varësh një mashkulli nuk e prodhon efektin e njëjtë sikur kur një mashkull nuk ia var një femre, përkundrazi rrezikon që atë ta largosh nga vetja. Ndërkaq kur një femër imponohet, meshkujt rëndom nuk e shohin si një femër me të cilën mund të planifikosh diçka më serioze. Për gjithçka duhet një mes, madje një mes më shumë se i artë, por pak femra e kuptojnë këtë, prandaj e kanë më të lehtë që për të gjitha të fajësojnë meshkujt.

Analizat mbi meshkujt me pikë vështrim femëror nuk vlejnë
Kur femrat i analizojnë meshkujt rëndom nisen nga një këndvështrim tërësisht femëror dhe ky është një gabim i madh. Të pakta janë ato femra, në mos asnjë, që ia dalin që mendërisht të teleportohen përtej llogoreve gjinore, në mënyrë që të kuptojnë sado pak mënyrën si mendon një mashkull. Kur flasin për botën e mashkullit, femra shqiptare flet me një siguri të madhe, pothuajse absolute, saqë ta krijon përshtypjen që i di të gjitha. Sikur të ishte vërtet kështu, bota vërtet do të ishte ndryshe, por ja që nuk është. Femra shqiptare sikur refuzon ta njohë mashkullin shqiptar, ajo mjaftohet me formën dhe e injoron tërësisht esencën dhe në këtë pikë vepron fiks sikur të ishte një mashkull.

Një ditë tjetër mbase do të vazhdojë me pika të tjera, por, kësaj here, do të ndalem këtu. Lumturia është synim i përbashkët i të dy gjinive, por lumturia në dashuri nuk mund të arrihet nëse nuk përpiqemi që vërtet ta kuptojmë dhe ta vlerësojmë njëri-tjetrin. Nuk mjafton të themi: nuk i kuptoj meshkujt apo nuk i kuptoj femrat. Nëse vetëm pak do të përpiqeshim që sado pak botën ta shihnim nëpërmjet syve të tjetrit, të kalonim mbi ato istikamet kuptimore që na ndajnë, shumëçka do të ishte ndryshe. Mbase edhe dashurinë do ta shihnim ndryshe, si diçka të bukur dhe jo si diçka stresuese.
Shnet!

(Ky reflektim është tërësisht personal)