Rajan Simo – Fotografi i revistave të mëdha

Fotografitë e tij zënë kopertinat e revistave të mëdha si “L’Officiel Hommes”, “Esquire”, “Velvet”(…), por në Shqipëri pakkush e njeh. Thuajse i takon asaj shtrese të nëntokës ku meditojnë të gjithë njerëzit e suksesshëm, sidomos ata që ruhen të mos preken nga rrezet e diellit të famës së tepruar, por padiskutim, pavarësisht moshës së re, Rajan Simo është mbase fotografi më i suksesshëm shqiptar i ditëve të sotme.

Gjithsesi, suksesi ndërkombëtar i Rajanit nuk është matësi kryesor vlerës së tij si artist, pasi që vlera e Rajanit shihet në vetë fotografinë e tij, si vepër që flet, pavarësisht nëse publikohet në një revistë të madhe apo thjesht në instagram. Mënyra si e trajton dritën, zbërthimi i kontrasteve, hijezimi i ngjyrave, kapja e çastit kur subjekti i fotografisë është brenda një cikli vibrant të energjisë, janë vetëm disa nga detajet që, në vlerësimin tonë modest, Rajanin e vendosin shumë larg para pjesës më të madhe të kolegëve të tij shqiptarë, përfshirë edhe disa nga ata që konsiderohen të famshëm.

Pos kësaj, cilësia më e rëndësishme e Rajanit është synimi i tij t’i qëndrojë besnik parimit burimor të zhvilluar nga pionierët e fotografisë: një fotografi duhet të flasë, jo domosdoshmërisht të jetë vetëm e bukur. Fotografitë e Rajanit kanë gjendje, botë brenda vetes, ndonjëherë përbëjnë edhe raste të kryqëzimit të disa dimensioneve që ndeshën në një pikë. “Bindi Model”, agjenci e modës ku Rajan ka bërë hapat e parë, ka nxjerr disa emra shqiptarë që kanë bërë xhiro të suksesshme në botë, duke punuar me brendet më prestigjioze, por Rajan Simo përbën një nga majat e kurorës që kjo agjenci duhet ta mbajë me krenari.