The Mother of Muse

Një shënim për projektin konceptual të fotografit Vlasov Sulaj, me modele Olta Bello. Një projekt interesant i frymëzuar nga abstraktja që ka trokitur në jetët tona gjatë bashkëjetesës sonë me pandeminë e Covid-19.

Nga Albatros Rexhaj

Fotografia është zanat që di të sjellë lekë, është një hobi i mirë për të kaluar kohën, një mundësi e jashtëzakonshme teknike për të dokumentuar ngjarjet, por fotografia është edhe art, sado që jo pak filozofë të artit akoma janë të dyzuar nëse fotografia mund të përfshihet pa rezerva në familjen fisnike të krijimtarisë artistike. Me idetë e tij konceptuale, fotografi Vlasov Sulaj dëshmon se arti nuk jeton në mediumin me të cilin shprehet artisti dhe as në mjetet e tij të punës. Arti jeton brenda artistit, sepse arti pikësëpari është ide dhe vetëm pastaj është shkathtësi.
I intriguar nga përmbysja e rendit tonë të jetës, që ka sjell pandemia e Covid-19, dhe thellësisht i ngacmuar me gjendjen e tjetërsuar të secilit prej nesh, brenda një fotografie të projektit të tij “The Mother of Muse”, Vlasov Sulaj, sjell përplasjen e botës që lamë prapa me këtë që po jetojmë tani, por edhe ngjizjen e botës së re që do të lindë pasi që të kalojë kjo sprovë e madhe për të gjithë ne.

Subjekti bartës, ku ndodh kjo përplasje mes botësh, që sikur duan të manifestohen të gjitha përnjëherë, është foto-modelja Olta Bello, një personazh shumë ndryshe dhe sigurisht e denjë për një reflektim të veçantë për aurën e saj si femër dhe si modele. Një modele tjetër – një imazh i bukur, por megjithatë i rëndomtë nga mikro-universi pjeshkëror i Tiranës – do të rezultonte në një degradim jo vetëm vizual, por edhe ideor të të gjithë projektit. Për mua si vëzhgues rastësor, në këtë vepër konceptuale, Olta Bello nuk synon të duket e bukur, por synon të jetë e vërtetë në ankthin e ndjenjave dhe pasigurisë që kjo situatë e jashtëzakonshme, që ka kapluar botën, ka krijuar te secili prej nesh.

Krahas saktësisë në kompozicion, zgjedhjes interesante për ta veshur modelen me diçka që duket më shumë si një mbeshtjellje mbrojtëse, përdorimit të qëlluar të formatit bardhezi – që në këtë rast shërben si manifestim i drejtë i dualizmit që aktualisht po jetojmë – përdorimi i pasqyrës, si zëvendësim për syrin e djathtë, përbën kulmin ideor të zgjedhjes konceptuale që ka përdorur Vlasovi. Të gjithë adhuruesit e arteve mistike e dinë se pasqyra nuk është vetëm reflektim i botës sonë, por është edhe një pasazh kalimi në botët tjera, ato që kemi lënë prapa, por edhe ato që qëndrojnë të fshehura në të ardhmen.
Duke medituar për këtë fotografi të Vlasovit e ndiej të gjithë këtë mishmash botësh dhe sprovash, por e shoh edhe dritën në fund të tunelit.
Për mua, ky projekt i Vlasovit është një dëshmi se kreativiteti gjithmonë e gjen rrugën e vet të shpërfaqjes, madje edhe në situatat më absurde.

Ky reflektim është krejtësisht personal