Valdrin Sahiti: Një artist i “rrezikshëm”

Ka diçka te Valdrin Sahiti që gjithnjë më ka intriguar!

Dhe kjo ndjesi e imja nuk ka të bëjë me krijimet e tij – që, thënë të vërtetën, janë të veçanta, prandaj edhe i hasim kudo në arenën shqiptare të artit dhe të shou bizit – por ka të bëjë kryekëput me mënyrën se si Valdrini, si një artist dhe si një zotëri bashkëkohor, e përjeton dhe e manifeston veten. Është pikërisht kjo ndjesi, tërësisht intime dhe shumë delikate, që Valdrini shpërfaq dhe transmeton botërisht, nëpërmjet krijimeve të tij por edhe nëpërmjet mënyrës si e prezanton veten si personazh publik.

 

Nuk habitem fare kur, gjatë bisedave të lira, teksa flet për veten, Valdrini thotë: qysh si gjimnazist, shpesh kam rënë në dilemë nëse, në raport me të tjerët, jam apo nuk jam normal?

Për artistin, kjo dilemë paraqet ekuivalentin e ekzistencializmit hamletian, sepse në jetën e secilit artist vjen një çast kur ai e ndjen, përtej çdo dyshimi, se nuk është aspak ordiner dhe se ka lindur për diçka më shumë. Të njëjtën gjë e ka ndjerë edhe Valdrini, por në vend që ta zgjedhë rrugën më të lehtë, atë që rëndom bën shumica, rrugën e mohimit dhe ndrydhjes së vetvetes, Valdrini ka zgjedhur që të notojë kundër rrymës.

Dhe sfida e Valdrinit vazhdon të jetë e vështirë, njëlloj si në ditën e parë!

Në një botë ku të gjithë mund të shohim Fashion TV dhe pothuajse secili nga ne ka një profil në instagram, të krijosh diçka të re – që ka frymë perëndimore dhe që në të njëjtën kohë është edhe shqiptare – vetvetiu tingëllon si diçka gati e pamundur.

Por jo edhe për Valdrinin.

Me krijimet e veta, ai vërtet synon shkëlqimin e pasarelave të Parisit e të Nju Jorkut, por asnjëherë nuk shkëputet nga realiteti ynë gri. Dhe pikërisht ky detaj e bën atë të veçantë në mjedisin e kolegëve të tij. Në duart e tij, një personazh publik nuk rrezikon që të përqeshet për shkak se pamja e saj i përngjan X apo Y ylli botëror, pasi që Valdrini nuk do të pranojë të punojë me askënd, në qoftë se më parë nuk e ndjen një tip CLICK-u brenda vetes që i sinjalizon se midis tij dhe klientit tashmë ka lindur një lloj alkimie e veçantë, prelud i domosdoshëm drejt një gjetjeje origjinale. Më pas, të tjerat janë thjesht detaje pune. Veshja e Elvana Gjatës te videoja e këngës Njësoj, ku Valdrini ishte kreator i veshjes së Elvanës, por edhe stilist i përgjithshëm i klipit, është një dëshmi e freskët e asaj që thashë më lart.

Si mund ta veshësh një yll si Elvana, një grua leopard që nxit drithërima thjesht veç me praninë e saj? Çfarë është ajo gjë që pasqyron shpirtin e një artisteje dhe femre të përmbushur?

Jam i sigurt se këtë pyetje e ka bërë edhe vetë Valdrini dhe, ashtu siç e shoh unë, ai ka zgjedhur një metaforë të përgjigjes së tij për pyetjen e madhe: çfarë është jeta?

Secili nga ne ka një përgjigje për këtë pyetje, por përgjigja e Valdrinit është e thjeshtë, dhe njëherësh edhe e bukur deri në kufijtë sfidues të arrogancës së një njeriu të suksesshëm: jeta është seks, para dhe fashion! Dhe, në këndvështrimin tim, të treja shtyllat e përgjigjes së Valdrinit ndërthuren në veshjen e Elvanës, prandaj ajo duket aq sensuale, por edhe e përmbushur si kurrë më parë, si artiste por edhe si femër.  

Besoj të gjithë mbajmë mend befasinë e këndshme me pamjen e Era Istrefit, ndërsa kalonte në tapetin e kuq të Top Awards. Ylli ynë – që jo rastësisht është duke tërhequr vëmendjen përtej kufijve të botës sonë të vogël shqiptare – me fustanin e punuar nga Valdrini, u shfaq pikërisht ashtu çfarë vërtet është, për të gjithë ata që e njohin për së afërmi: një mjellmë e zezë! Jo rastësisht edhe metafora mistike e figurës së mjellmës së zezë ndërlidhet me paraqitjen e befasishme të një gjëje të jashtëzakonshme që nxit një uragan ngjarjesh që i shkojnë prapa – fiks si lindja e Erës si yll dhe ngjitja e saj e pandalshme. Për mua, nuk ka asnjë dilemë se fenomenit Era Istrefi, Valdrini i është qasur nga premisa filozofike dhe mistike, të koduara brenda tij si ndjesi shpirtërore, me dëshirën që Erën ta shohim në një dritë krejtësisht ndryshe nga ato që e kemi parë më herët.

Me po të njëjtin seriozitet krijues Valdrini i është qasur edhe koleksionit të tij VS Man, ku Capital T, përkrah bukuroshes Vildane Zeneli, na shfaqet si imazhi kryesor. Nuk është aspak e ndershme që të kursehen fjalët, prandaj edhe duhet thënë se Capital T paraqet figurën e një mashkulli që femrat e duan përkrah vetes, por edhe një figurë model për vetë meshkujt e tjerë. Në këtë rast, dilema krijuese ishte brutale në thjeshtësinë e vet: energjinë bruto të testosteronit të pastër, padyshim një forcë e pagdhendur e natyrës, si mund ta transformojmë në diçka të bukur, tërheqëse, por që njëherësh ruan nuancat e vrazhda të vetë qenies mashkullore? Konsideroj se një meditim i thjeshtë mbi koleksionin VS Man, i çlirët nga smira jonë e verbër dhe deduksionet provinciale, jep të gjitha përgjigjet e duhura për pyetjen e mësipërme.  

Dhe ajo që mua më pëlqen më shumë është puna e Valdrinit me nuset e reja. Koleksioni i fustaneve të nuseve nuk është aspak i ngarkuar dhe është tërësisht i pastër nga shtytjet drejt esktravangancës. Puna e Valdrinit është një përgjigje diskrete për një nga shumë marrëzitë tona të përditshme: vajzë, je duke u martuar për t’u bërë e lumtur apo për t’u mbyllur gojën njerëzve? Secila vajzë e re që vërtet synon lumturinë dhe dashurinë, ditën e martesës e përjeton si një ecje mes resh, prandaj Valdrini zgjedh të bëjë bashkë shijet tona tradicionale dhe dromcat e shkëlqimit të yjeve që i ëndërrojmë të gjithë. Për ilustrim të këtij koleksioni kam zgjedhur një nga fustanet e veshura nga modelja Diana Avdiu, një personazh intrigues dhe, në vlerësimin tim, po ashtu një gladiatore që meriton një trajtim të veçantë.

Sa herë që kam kundruar krijimet e Valdrinit, të veshura qoftë nga personalitete apo vdekatarë të rëndomtë, gjithnjë kam ardhur në përfundimin e njëjtë: Valdrini nuk synon të krijojë diçka domosdoshmërisht të bukur. Por synon të bindë si klientin, ashtu edhe publikun se pamja e jashtme, mënyra si vishemi dhe si e trajtojmë imazhin tonë, është kryekëput një manifestim fizik, pasqyrë besnike e asaj që jemi në shpirt.

Si një pinjoll i një familjeje intelektualësh, ky ngulmim i Valdrinit për këtë harmoni, në mes të asaj që ndryhet përbrenda dhe asaj që duket së jashtmi, për mua, është tregues se, si krijues arti, Valdrini nuk niset nga insitiktet e tij të çastit, por ka një qasje tërësisht filozofike. Origjinën e filozofisë krijuese te Valdrinit e gjej te mendimet e Niçes – Valdrini nuk i shmanget pesimizmit (të natyrshëm) njerëzor por atë e përdor si material krijues – për të vazhduar te filozofia e lindjes së largët, që njeriun e sheh në një gjendje të përhershme përplasjeje në mes të shpirtit, intelektit dhe trupit fizik. Me fjalë të tjera, Valdrini nuk e përjeton modën si profesion dhe madje as si art, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por e ndjen atë si lifestyle – diçka organike dhe të pandashme nga tërësia e tij shpirtërore.

Kjo e bën Valdrinin të “rrezikshëm”!

Natyrisht, veç për fshatarësinë e katapultuar direkt në spotlight-in e emisioneve dhe mega-eventeve televizive, për ata stilistë, që mendojnë se të qenët krijues mode është një tip upgrade-i i rrobaqepësit të lagjes, dhe për ato modele që janë të bindura se krejt çka të duhet janë gjinjtë dhe prapanica.

Pikërisht pse janë të tillë, këta edhe vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, prandaj e kanë të pamundur ta pranojnë se një artist shqiptar, si Valdrini që mund ta hasim këtu vërdallë mes nesh, mund të ketë guxim të sfidojë artistikisht edhe paraqitjet në tapetin e kuq të Oscars.

Nuk ka asfare rëndësi nëse tipat si Valdrini kanë të drejtë apo jo, mjafton guximi. Në kozmologjinë tonë artistike, plot shtirje dhe yje të stisura, gatishmëria për të shprehur mendimin e vërtetë, pavarësisht kundërshtive që mund të krijojë, është një cilësi për tu admiruar.

Dhe për mua kjo përbën një tregues se, si artist, Valdrini tashmë ka mbërritur në pikën kur ai tashmë reagon njëlloj, si ndaj kritikave ashtu edhe ndaj komplimenteve.

(ky shkrim është publikuar me 18 korrik 2016, te revista ANABEL)